Fjalor i Gjuhës Shqipe

Fjalori i fundit(2006) i publikuar nga ASHSH(Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) - rreth 48.000 fjalë

Kuptimi i fjalës vete
vete:

vét/e,-ja f. 1. edhe si përem., një njeri i veçantë, i cili në të njëjtën kohë e kryen dhe e pëson një veprim; thelbi i njeriut si individ, i ndryshëm nga të tjerët; vetvetja: s’i dhimbset vetja; i pëlqente vetja; kërkon shumë nga vetja; si e ndien veten? si ndihesh?; nuk e jep veten; mori veten më qafë; mendon vetëm për vete; fliste me vete (vetë me vete); për vete e bëri (e ka) për të mirën ose për të keqen e vet e bëri (e ka); gënjen veten shpreson më kot; i ka hyrë vetja në qejf i pëlqen vetvetja, mbahet më të madh; s’e ka veten në dorë bën veprime të pavetëdijshme; s’e zotëron dot veten, s’përmbahet; e mori veten në dorë e zotëroi veten mirë, u përmbajt; vrau veten me dorën e tij ia bëri të keqen vetes; mate veten pa të matur bota! (fj. u.); unë për vete… unë vetë…, unë nga ana ime…; e mori me vete; secili më vete secili veçan, veç e veç; i ndarë; i pavarur nga të tjerët, i mëvetësishëm; / që s’ngjan me të tjerët, jo i rëndomtë; i veçantë. 2. euf. herdhet: i ra në vete; i ra vetja (u çel ndër vete, u këput ndër vete) u rrënxua.

vete:

véte jokal., vájta, vájtur 1. shkoj nga një vend zakonisht më i afërt në një tjetër më të largët; drejtohem për diku; arrij në një vend, mbërrij diku; v. III lëviz në një drejtim të caktuar; arrin deri në një largësi; ka një drejtim të caktuar; shtrihet a kalon nëpër një vend: vajti në fshat; vajti më këmbë (me biçikletë, me tren); venë e vijnë te njëri-tjetri; i vajtën sytë tek ai; i venin këmbët sa andej-këtej; hekurudha vete nga Tirana në Vlorë; vija telefonike vete në çdo fshat; mirë vafsh (vafsh shëndoshë)! (ur.) udha e mbarë!, mbërrifsh shëndoshë!; udhëzimi u ka vajtur të gjitha shkollave; vajti lajmi deri në qytet; për ku vete kjo udhë?; kush vete në mulli, doemos do të përmiellet (fj. u.); vajti për lesh e doli i qethur (fj. u.) (iron.). 2. v. III rrjedh diçka; del prej diku; kalon poshtë; shkon: i vajti shumë gjak; i venin lotët çurg; i vajti buka keq. 3. bised. mbush një moshë të caktuar; v. III, edhe fig., rron, mban, duron; arrin në një pikë a në një shkallë; shkon: vajti pesë vjeç; sa vajtën shpenzimet?; sa të vajti shtëpia?; ora vajti një; ka vajtur në pikë të fundit (diçka); këpucët s’i vajtën gjatë. 4. fig. kam arritje të caktuara në punë, në mësime etj.; v. III bised. kryhet a zhvillohet në një mënyrë të caktuar; kalon nga një gjendje në një tjetër; ecën, shkon: si vete me mësime (me punë, me shëndet)?; puna vajti mirë (mbarë, ters); i vajti djathtazi i vajti mbarë; vendi ka vajtur shumë përpara; sa vete e më mirë po bëhet; si do t’i vejë filli (dikujt a diçkaje)?; të vaftë mbarë! (ur.). 5. bëj rregullisht një punë diku; ndjek një shkollë etj.; shkoj: vete me dhen; vajti ushtar; vete në universitet. 6. v. III bised. punon, shkon (për një aparat etj.): ora më vete mirë. 7. kryes. sh. përputhem me dikë; pëlqehemi; shkoj: venë si vëlla e motër. 8. edhe fig., eci pas dikujt a diçkaje, e ndjek; e miratoj; veproj a sillem siç do a siç bën dikush tjetër; shkoj (edhe në njësi frazeologjike): i vete pas (prapa) (dikujt); i vete pas qejfit (pas avazit); vete pas modës; vete nga të fryjë era; ku vete e i kërkon ndihmë atij! 9. v. III bised. më përshtatet diçka; vlen; shkon: nuk të venë këto pantallonat; nuk vete rakia pa meze; s’i vajtën lajkat (dredhitë); kjo s’vete fare; kjo para nuk vete më; atij i vete fjala e dëgjojnë. 10. v. III bised. harxhohet diçka, shkon: vajti kot; për një gozhdë vajti potkoi (fj. u.). 11. në kr. thj. kryes. veta III fig. bised. nuk jeton më, mbaroi, shkoi: vajti dhe Shkëlzeni. 12. nis, bëj: vajti të dilte, por e ndalën.

vetë:

vét/ë,-aI f. kryes. sh. -a(t) njerëz, frymë: tryezë për katër veta; familje prej gjashtë vetash.

vetë:

vét/ë,-aII f. sh. -a(t) gjuh. kategori gramatikore e foljes, që tregon se kush flet, kujt i drejtohet folësi ose për kë a për se bëhet fjalë: veta e parë (e dytë, e tretë).

vetë:

vétë përem. 1. shënon dikë që merr pjesë drejtpërdrejt në një punë a në një veprim ose që përjeton e vuan drejtpërdrejt diçka (zakonisht pranë një emri a një përemri vetor ose në vend të tij); shënon një njeri a një send të caktuar me kuptimin “unë, ti, ai…” ose një njeri a një send kur e dallojmë nga të tjerët, me kuptimin “pikërisht unë, ti, ai… e jo tjetërkush a tjetërgjë”: vetë i dyti së bashku me një tjetër; erdhi vetë; të rroni vetë! përdoret kur ngushëllojmë dikë për vdekjen e një të afërmi; e di vetë e di unë si e zgjidh diçka; flet puna vetë e tregon vetë puna; e zgjidhi (e vendosi) vetë; vetë shkruan, vetë vulos (vetë zot, vetë shkop); e dëgjova nga ato vetë (nga vetë goja e tyre); kush i bën varrin shokut, bie vetë brenda (fj. u.). 2. si ndajf. pa ndihmën e dikujt a të diçkaje, me forcat e mia: gatuaj (laj) vetë; kuptohet vetë vetëkuptohet, është e qartë; / automatikisht; vetiu: makina shkarkohet (ngarkohet) vetë; plaga u mbyll vetë. 3. me dëshirën e vet, vullnetarisht.

Në literaturë:
Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...Përpjekja e tij mbështetej në premtimet e garancitë që u paraqiste shqiptarëve e s’ka dyshim që në këtë pikë ai nuk mbeti pas, madje e kapërceu rivalin e tij, Karlin I Anzhu, përderisa arriti qysh në fillim të bënte për vete (« të mashtrojë », sipas shprehjes së Karlit I) mjaft prej tyre. 209 ...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...një grup etnik më vete që dallohet nga ai i ilirëve. Përveç kësaj të 20 ...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...në plan të dytë aristokracinë e vjetër fisnore. Si qendra ekonomike e politike më vete qytetet i rrethonte një popullsi fshatare e lidhur me ta nëpërmjet interesave ekonomikë të ndërsjelltë. Në burimet këto popullsi njihen akoma si 45 ...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...sollën me vete njerëzit e tyre, përfshirë edhe klerikë bullgarë, që ndihmuan për depërtimin e një kulture sllavobizantine në këto treva. Në gjysmën e dytë të shek...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...e nxjerrjes për vete (ekskusia) të të ardhurave që më parë i dorëzoheshin shtetit bizantin. Lidhja e një numri të caktuar fshatarësh, bashkë me ngastrat e tyre, pas personave fetarë ose 218 ...

Ismail Kadare, "E Penguara"

...Emri i Migenës dhe fjala “enigmë” i flatruan në kujtesë, si të donin të lidheshin. Nuk ishte krejt një anagramë, siç iu duk në fillim, por pothuajse. Migena, enigma, përsëriti me vete. Pastaj, sa për t'u bindur, i shkroi fjalët sipër menusë, pikërisht përbri fjalëve “kafe ekspres". Ishte vërtet ashtu, pothuajse anagramë. Gjashtë shkronjat e emrit “Migenë”, të renditura ndryshe, jepnin saktësisht “enigmë”-n...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...Dunavecit II, krahas elementeve që u trashëguan nga periudha paraardhëse, që edhe këtu përbëjnë shumicën, ka edhe një tog elementesh të reja që e veçojnë atë si një fazë më vete. Zbukurimi në reliev njeh zhvillimin e tij më të gjerë, po ashtu bëhet tipik zbukurimi me gërvishtje i llojit adriatik, kanelyra përmirësohet cilësisht dhe, krahas pikturimit gri, del edhe 11 ...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...e zgjeruar luftën në Iliri dhe pa hyrë në konflikt të hapur me Maqedoninë; morën me vete skllevër dhe plaçkë të shumtë dhe u kthyen në Romë ku festuan fitoren mbi Farin me një triumf të bujshëm, megjithëse lufta që kishin bërë nuk e meritonte këtë...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...Në të njëjtën kohë, Skerdilaidi kishte sulmuar Filipin nga toka, kishte pushtuar Piseun, një qytet i vogël në Pelagoni, dhe, pasi kishte bërë për vete qytetet e Dasaretisë, midis të cilave edhe qytetin e rëndësishëm Antipatrean, kishte kryer sulme edhe kundër një pjese të Maqedonisë në kufi me këto qytete...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...Me forcat kryesore u drejtua kundër qytetit Basania, i cili siç na ka mbërritur në tekstin e Livit, ishte 5 milje nga Lisi. Ky qytet ishte në aleancë me romakët. Genti u mundua ta bëjë për vete atë me anë të bisedimeve, por mbasi nuk pranoi 119 ...

Të ngjashme:
gete:

géte (t) f. sh. çorape grash të gjata deri në bel; pantallona të thurura për fëmijë.