Fjalor i Gjuhës Shqipe

Fjalori i fundit(2006) i publikuar nga ASHSH(Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) - rreth 48.000 fjalë

Kuptimi i fjalës bote
bote:

bót/e,-ja f. sh. -e(t) enë balte; shtambë.

botë:

bót/ë,-aI f. sh. -ë(t) 1. rruzulli i Tokës me gjithçka që është në të, dheu; trup qiellor, planet: harta e botës; udhëtim rreth botës; në të katër anët e botës; sa të jetë bota; edhe sikur bota të përmbyset çfarëdo që të ndodhë, nuk kam për ta bërë diçka kurrsesi; bota është e rrumbullakët (me rrota) (fj. u.) vjen dita që gjithçka mund të ndodhë; mos bëj keq, se mund ta pësosh dikur. 2. tërësia e qenieve, e sendeve a e dukurive që na rrethojnë: bota e jashtme; bota e gjallë (organike); bota bimore (shtazore, e kafshëve); bota e sendeve (e yjeve); bota e ngjyrave (e tingujve); në botën e përrallave. 3. jeta në tokë; jetë: bota tjetër (e përtejme); doli në botë lindi; shkoi në atë botë vdiq; e dërgoi në botën tjetër (përçm.) e vrau; s’është në këtë botë s’merr vesh fare ç’po bëhet. 4. përmb. njerëzia, gjindja; njerëzit e tjerë; një njeri, dikush: si gjithë bota; sa për sy të botës sa për t’u dukur; në shtëpi të botës; e bija e botës (mospërf.) një grua a një vajzë çfarëdo; i biri i botës (mospërf.) një burrë a një djalë çfarëdo; në sy të botës para të gjithëve, haptas; fjalët (gojët) e botës; malli i botës malli i huaj; u bë gazi i botës; u çudit gjithë bota; u rrit nëpër dyert e botës; hamë bukën tonë e bëjmë duanë e botës (fig.); i nxjerr gështenjat (nga zjarri) me duart e botës (fig.); kali i botës të lë në udhë (fj. u.). 5. shoqëria njerëzore e organizuar sipas një rendi të caktuar a me tipare historike e kulturore të veçanta; mënyrë jetese a organizimi shoqëror; rreth njerëzish të një veprimtarie, të një moshe etj.; fushë e veçantë veprimtarie: bota shqiptare; bota antike (ilire, greko-romake); bota e jashtme vendet e tjera; bota letrare (shkencore); bota e fëmijëve. 6. jeta shpirtërore e psikike; tërësia e ndjenjave, e mendimeve, e interesave etj.: bota e brendshme (vetjake); botë e vogël (e mbyllur).

botë:

bót/ë,-aII f. baltë e përhime në të bardhë; deltinë.

Sinonime / Të përafërta:
shtambë
Në literaturë:

...nga mosha. Porsa ka marrë vesh që erdhëm ne, paska vënë medaljet, paska ngjeshur koburen dhe ka dalë përjashta. Tani këtë e bën përditë. - Madje, edhe punëtorët shqiptarë i vështron me përbuzie - tha prifti. - Pardje, specialisti e pyeti për diçka dhe ai nuk iu përgjigj. - Është plak fanatik. Siç duket, edhe ata i duken si aleatët tanë. - E di? - vazhdoi gjenerali, me zë të ulët. - Njeriu duhet të parashikojë çdo gjë. Unë u trembem torollakëve të tillë Ja, i shkrepet, nxjerr koburen e të qëllon mu në mes të ditës! - Çdo gjë mund të ndodhë, - tha prifti. - Nga një gjysmë i lënë si...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur"
Në literaturë:

...fjalës së shkruar të frymëzuar prej motivesh komerciale apo thjesht karieriste, nuk janë të aftë për heshtjen si gjest filosofik. Për një heshtje të tillë, filosofike, shpesh është e nevojshme një kurajë e madhe qytetare, një moral i lartë, një karakter i fortë, që nuk i kanë protejt e shumtë të kësaj bote, që e konsiderojnë jetën dhe shoqërinë si një arenë, nëpër të cilën do të defilojnë me sukseset e tyre individuale, familjara dhe shoqërore. Ata s'mund të harrojnë se jo rrallë, po aq sa mund të jetë e rrezikshme fjala mohuese dhe refuzuese, po aq mund të jetë e rrezikshme për autorin e saj edhe heshtja...

Rexhep Qosja, "Panteoni i rralluar"

... lëvizja përherë e më e dendur e karvanëve tregtarë, hapja e panaireve dhe sidomos (o Zot, ku e vendoste ai fjalën "sidomos"!), pra, sidomos ndërtimi i rrugëve dhe i urave të gurta. E gjithë kjo lëvizje, thoshte ai, s'është veçse shenjë jete dhe vdekjeje njëkohësisht, shenja e lindjes së një bote të re dhe e vdekjes së botës së vjetër. Ai foli diçka për urat dhe për vështirësitë e ndërtimit të tyre dhe, nga kjo pjesë e bisedës së tij, pata përshtypjen se ndodhesha nën rrënojat e një ure, që ai e shembi mbi mua. Ai më shpjegoi se nga të gjitha shëmtimet që gjëllojnë mbi faqe të...

Ismail Kadare, "Ura me Tri Harqe"

...tëra të treturish, sa vente po bëheshin zotëruese. Ato po shtynin gjithçka tjetër dhe ai e ndiente se çdo ditë po dorëzohej. Nganjëherë e qetësonte veten me mendimin se kjo ishte një gjë që pritej. Madje, frika se duke përdorur fraza e fjalë hijesh ai po bëhej, ndërkaq, pjesëtar i asaj bote, nuk kishte më kuptim. Ai ishte, ndërkaq, i tyre, kishte hyrë dalëngadalë, ditë pas dite e stinë pas stine në atë gjithësi e prej saj, çfarëdo që të bënte, s'dilte më dot. Tani po mësohej me të, madje, kishte ditë që, në vend të ankthit të dikurshëm, ndiente njëfarë paqeje. Dhe, bashkë me të,...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrise se Vdekur"

...ilire dhe pa dyshim edhe të marrëdhënieve me popujt fqinjë. Tiparet themelore të saj janë shprehur në arritjet më të rëndësishme të ilirëve në fushën e zhvillimit të tyre ekonomik e shoqëror, në mënyrën e të jetuarit dhe të kuptuarit të botës që i rrethonte, në mënyrën e të pasqyruarit të kësaj bote në artin e botëkuptimin e tyre. Krahas tipareve themelore të përbashkëta të kësaj kulture, që janë karakteristike për gjithë truallin ilir, vihen re edhe veçanti lokale. Në kushtet e një territori të gjerë, me larmi të theksuara fiziko-gjeografike, siç ishte pjesa perëndimore e Gadishullit të ...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"
Të ngjashme:
boçe:

bóç/e,-ja f. sh. -e(t) [bóç/ë,-a f. sh. -a(t)] 1. diçka e rrumbullakët, zakonisht sa një arrë a sa grushti; kokërr, topth: boçe pishe (pambuku); boça e fytit (anat.) fikthi; boçë dëbore; boçat e syve; boça e vezës e verdha e vezës; boçë misri koçan; boça e kandarit; / burbuqe: çeli boçe. 2. lëvozhga e tultë e kokrrës së arrës, të gështenjës etj.; shark. * (flet) me boçe në fyt flet keq e s’kuptohet ç’thotë; belbëzon.

bore:

bór/e,-ja f. sh. -e(t) kafshë shumë e bardhë.

jote:

jóte pron. (gjin., dhan., rrjedh. sate; kallëz. tënde) sh. túa (e) (kur prona është e gjinisë femërore) që të përket ty, që e ke ti, që e ke bërë ti; që të pëlqen më shumë ty: shtëpia jote; motra jote (jot motër); fjala (sjellja) jote; është jotja.