Fjalor i Gjuhës Shqipe

Fjalori i fundit(2006) i publikuar nga ASHSH(Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) - rreth 48.000 fjalë

Kuptimi i fjalës botë
botë:

bót/ë,-aI f. sh. -ë(t) 1. rruzulli i Tokës me gjithçka që është në të, dheu; trup qiellor, planet: harta e botës; udhëtim rreth botës; në të katër anët e botës; sa të jetë bota; edhe sikur bota të përmbyset çfarëdo që të ndodhë, nuk kam për ta bërë diçka kurrsesi; bota është e rrumbullakët (me rrota) (fj. u.) vjen dita që gjithçka mund të ndodhë; mos bëj keq, se mund ta pësosh dikur. 2. tërësia e qenieve, e sendeve a e dukurive që na rrethojnë: bota e jashtme; bota e gjallë (organike); bota bimore (shtazore, e kafshëve); bota e sendeve (e yjeve); bota e ngjyrave (e tingujve); në botën e përrallave. 3. jeta në tokë; jetë: bota tjetër (e përtejme); doli në botë lindi; shkoi në atë botë vdiq; e dërgoi në botën tjetër (përçm.) e vrau; s’është në këtë botë s’merr vesh fare ç’po bëhet. 4. përmb. njerëzia, gjindja; njerëzit e tjerë; një njeri, dikush: si gjithë bota; sa për sy të botës sa për t’u dukur; në shtëpi të botës; e bija e botës (mospërf.) një grua a një vajzë çfarëdo; i biri i botës (mospërf.) një burrë a një djalë çfarëdo; në sy të botës para të gjithëve, haptas; fjalët (gojët) e botës; malli i botës malli i huaj; u bë gazi i botës; u çudit gjithë bota; u rrit nëpër dyert e botës; hamë bukën tonë e bëjmë duanë e botës (fig.); i nxjerr gështenjat (nga zjarri) me duart e botës (fig.); kali i botës të lë në udhë (fj. u.). 5. shoqëria njerëzore e organizuar sipas një rendi të caktuar a me tipare historike e kulturore të veçanta; mënyrë jetese a organizimi shoqëror; rreth njerëzish të një veprimtarie, të një moshe etj.; fushë e veçantë veprimtarie: bota shqiptare; bota antike (ilire, greko-romake); bota e jashtme vendet e tjera; bota letrare (shkencore); bota e fëmijëve. 6. jeta shpirtërore e psikike; tërësia e ndjenjave, e mendimeve, e interesave etj.: bota e brendshme (vetjake); botë e vogël (e mbyllur).

botë:

bót/ë,-aII f. baltë e përhime në të bardhë; deltinë.

bote:

bót/e,-ja f. sh. -e(t) enë balte; shtambë.

Sinonime / Të përafërta:
dheu
planet
jetë
njerëzia
gjindja
dikush
haptas
deltinë
Në literaturë:

...nga mosha. Porsa ka marrë vesh që erdhëm ne, paska vënë medaljet, paska ngjeshur koburen dhe ka dalë përjashta. Tani këtë e bën përditë. - Madje, edhe punëtorët shqiptarë i vështron me përbuzie - tha prifti. - Pardje, specialisti e pyeti për diçka dhe ai nuk iu përgjigj. - Është plak fanatik. Siç duket, edhe ata i duken si aleatët tanë. - E di? - vazhdoi gjenerali, me zë të ulët. - Njeriu duhet të parashikojë çdo gjë. Unë u trembem torollakëve të tillë Ja, i shkrepet, nxjerr koburen e të qëllon mu në mes të ditës! - Çdo gjë mund të ndodhë, - tha prifti. - Nga një gjysmë i lënë si...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur"
Në literaturë:

...mediokritete ka pasur, gjithmonë dhe gjithkund, në çdo mjedis, në çdo shtresë sociale, në çdo shoqëri, në çdo sistem, në vendet e zhvilluara dhe të prapambetura, në vendet e lira dhe të robëruara, kurse numri i tyre ka ardhur duke u shtuar gjithnjë e më shumë jo vetëm pse është shtuar numri i popullatës në botë, por edhe pse janë shtuar fushat dhe format e veprimtarisë nëpër të cilat njeriu, si krijesë psikologjike dhe sociale, manifeston vetëveten, prirjet dhe aftësitë e tij të vogla, të mëdha apo mesatare si edhe karakterin e tij të plotë apo gjysmak, pozitiv apo negativ. Mediokritetet, pra, kanë ekzistuar...

Rexhep Qosja, "Panteoni i rralluar"

...sidomos e njërit prej tyre, “Toponomastikës”, u duk se gjatë rrëzimit po zbërthehej si në tërmet. Emërtime vendesh, përrenjsh e shtigjesh shembeshin prore: Kodra e Qyqes, Prita te Tri puset, Kurthi i Zekës, Gropa, Korbi, Rrëzoma e keqe... Gjithë këto emërtime të zymta, kishte menduar. Asgjë në këtë botë nuk kishte një letërnjoftim a një CV, siç thuhej kohët e fundit, kaq të lemerishme, si ajo e tokës. Kurthe, pabesi pa fund... Sa kohë kishte vallë në atë zyrë? Atje ku kishte hyrë mendjelehtësisht kushedi kur? Sytë i shkuan tek ora e vendosur në mur, mbetur atje qysh nga koha e miqësisë me kinezët...

Ismail Kadare, "E Penguara"

...misioni i tij është, sa i përçudnuar, aq dhe logjik me po të njëjtën përpikëri: me dëshirën e tij ose jo, ky oficer i lartë kryen misionin për të cilin është formuar. Nëse ushtria që komandon tani e tutje mund të strehohet e gjitha nën mushamanë e një kamioni, kjo nuk ndryshon asgjë: në një tjetër botë, ai është, negativisht, gjenerali. Por, mos vallë, ekziston ai më tepër apo ndryshe nga këto batalione skeletesh që tërheq pas vetes? Kjo nuk është e sigurt, ag shumë përziben, në romanin e Ismail Kadaresë, njeriu dhe detyra e tij (nga ku kuptohet, pa kaluar domosdoshmërisht në simbol, ...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrise se Vdekur"

...bënin, jo me një, por me një mijë balada të tilla bashkë. Sepse s'ishte dëgjuar gjer më sot që ndonjë urë, apo ndonjë ngrehinë çfarëdo, të jetë prishur nga këngët. Qysh se kishin ikur herën e fundit, të mundur e zemërthyer, njerëzit e "Lundra dhe trape" nuk qenë parë më. Dukej sikur s'ishin më në botë, por ja tani, balada te Bujtina e dy Robertëve m'i sollën prapë ndër mend. Kishin hequr vallë dorë nga lufta, apo prisnin orën e tyre? Ndërkaq, Ujana e Keqe vëngonte përherë e më thekshëm, apo ndoshta na dukej ne ashtu, ngaqë e dinim se e kishte kllapën e gurtë sipër saj. XXI Me afrimin e fundit...

Ismail Kadare, "Ura me Tri Harqe"

...shqiptarëve, gjë që e bëri të pakënaqur komandantin shqiptar. Në çastet e largimit të tij nga Roma, shkruanin ato ditë bashkëkohësit, Skënderbeu u shpreh plot sarkazëm se « më parë do të donte të bënte luftë me kishën sesa me turkun », dhe « nuk besonte se mund të gjendej shpirtvogëlsi më e madhe në botë sesa te këta priftërinj ». Pas një qëndrimi dymujor Skënderbeu u largua nga Roma dhe u kthye sërish në Napoli, ku qëndroi gjatë, por nuk siguroi ndonjë ndihmë efektive. Edhe mbreti Ferdinand i Napolit, ashtu si Venediku, përpiqej të shmangte rrezikun osman mbi shtetin e tij, jo aq me veprime efektive...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"
Të ngjashme:
bot:

bot,-i m. bised. një njeri, dikush.

bot:

bot ndajf. bised. 1. pa ndërprerje e me të gjitha forcat. 2. si kallëz. duke u përpjekur me të gjitha forcat; me mundime e pa pushuar: qesh e bot; thirr e bot; dhashë e bot; bot andej e bot këtej.

bocë:

bóc/ë,-a f. sh. -a(t) shtypshkr. fletë e shtypur për të ndrequr gabimet.