Fjalor i Gjuhës Shqipe

Fjalori i fundit(2006) i publikuar nga ASHSH(Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) - rreth 48.000 fjalë

Kuptimi i fjalës bluaj
bluaj:

blúaj kal., blóva, blúar 1. e bëj miell (drithin) a pluhur (diçka tjetër); thërrmoj imët, grimcoj; brej: bluaj grurin (kafenë); bluan ashpër; dhëmbi bluan malin (fj. u.). 2. tret ushqimin në stomak. 3. fig. e përvetësoj mirë diçka duke e përsëritur, e tret: e ka bluar mësimin. 4. fig. e rrah me mend diçka nga të gjitha anët, e shoshit mirë; shestoj: e bluan përbrenda; bluan imët mendon e thotë gjëra të mençura; bluan trashë mendon e thotë budallallëqe; seç bluan në kokë!; bluan si mulliri pa kokrra (keq.) llomotit kot, grin. 5. v. III (me trajtë të shkurtër përemërore) fig. më shkakton dhembje të vijueshme: më bloi reumatizmi. / pës. blúhet v. III.

Sinonime / Të përafërta:
grimcoj
brej
shestoj
Të ngjashme:
bluar:

blúar (i, e) mb. që është bluar: kafe e bluar.

luaj:

lúaj jokal., -ta, -tur 1. lëviz, hidhem a bredh për t’u argëtuar sipas një mënyre të organizuar me të tjerë ose duke përdorur një lodër; / edhe kal., e shkoj kohën e lirë duke u marrë me diçka që më argëton e më çlodh; marr pjesë në një ndeshje sportive: luajnë në oborr; luante me macen (me kukullën); luanin shah (tavëll, me letra, me top). 2. edhe kal., mishëroj në skenë një rol, interpretoj; heq valle; i bie një vegle muzikore a ekzekutoj një pjesë muzikore: luan në film (në teatër); luan në piano (në violinë); orkestra luajti bukur. 3. e trajtoj me mospërfillje, e marr me të qeshur; e quaj a e bëj si lojë; qesëndis: mos luaj me të! mos u tall!; luan me jetën (me të ardhmen, me fatin) (e dikujt); luan me fjalë. 4. bised. çmendem: paska luajtur fare; i luajti mendja u çmend; po më luan mendja e kokës po çmendem. 5. edhe kal., bised. lëviz1-7: e luajti më majtas (më djathtas); nuk luan nga fjala; muri luan, burri s’luan (fj. u.). 6. edhe kal., edhe fig., bised. e lëviz më me vrull diçka për të mbaruar më shpejt një punë, i jap: luaje kazmën! puno më shpejt!; luaji duart! puno më shpejt!; luaji këmbët! ec më shpejt!; luaji dhëmbët! ha më shpejt!; kush luan këmbët, luan edhe dhëmbët (fj. u.); / v. III bëhet a ecën me gjallëri e me vrull, vlon: luante druri (dajaku) vlonte druri. 7. kal. bised. marr një pjesë, e cenoj diçka; e ndryshoj; prek a ngacmoj dikë: mos i luaj librat!; s’e ka luajtur gjellën; mos e luaj fëmijën! mos e ngacmo!

bëzaj:

bëzáj jokal., -ta, -tur nxjerr zë, them diçka (zakonisht me mohim); i thërres, i flas; tregoj: nuk bëzante fare.

blues:

blúes,-e mb. që bluan: mulli blues.

bluzë:

blúz/ë,-a f. sh. -a(t) veshje e sipërme e hollë prej pambuku, prej mëndafshi etj., që arrin deri në brez; veshje e gjatë pune, që mbahet sipër rrobave të tjera: bluzë grash (fëmijësh); bluza e mjekut.