Fjalor i Gjuhës Shqipe

Fjalori i fundit(2006) i publikuar nga ASHSH(Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) - rreth 48.000 fjalë

Kuptimi i fjalës atehere
atëherë:

atëhérë ndajf. në atë kohë kur ndodh diçka, në atë çast ose në atë rast: që atëherë s’e kam parë më; kur të vish, atëherë do të flasim.

atëherë:

atëhérë pj. si rrjedhim, pra: atëherë, po fillojmë; atëherë, ik!; e ç’farë, atëherë?

Sinonime / Të përafërta:
pra
Në literaturë:

...nga mosha. Porsa ka marrë vesh që erdhëm ne, paska vënë medaljet, paska ngjeshur koburen dhe ka dalë përjashta. Tani këtë e bën përditë. - Madje, edhe punëtorët shqiptarë i vështron me përbuzie - tha prifti. - Pardje, specialisti e pyeti për diçka dhe ai nuk iu përgjigj. - Është plak fanatik. Siç duket, edhe ata i duken si aleatët tanë. - E di? - vazhdoi gjenerali, me zë të ulët. - Njeriu duhet të parashikojë çdo gjë. Unë u trembem torollakëve të tillë Ja, i shkrepet, nxjerr koburen e të qëllon mu në mes të ditës! - Çdo gjë mund të ndodhë, - tha prifti. - Nga një gjysmë i lënë si...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur"
Në literaturë:

...më universal, me të cilin do t'i çelin dyert e botës akoma modeste të letërsisë nacionale, të cilat kallauzat e huaj, po u përdoren pa kurrfarë përpunimi, më parë i thejnë se ç'i çelin. Në qoftë se mediokritetet e krijimtarisë shkencore kanë pasur fatin e jashtëzakonshëm të gjenden nëpër katedra, atëherë do të kënaqen t'ua transmetojnë dëgjuesve pohimet e huaja shkencore, duke mos u lodhur t'i studjojnë vetë çështjet, që sypozohet se duhet t'i studjojnë. Ata bëhen vetëm përcjellës, transmetues të rezultateve hulumtuese të të tjerëve në vend se të jenë vetë krijues, hulumtues. Mediokritete mund të...

Rexhep Qosja, "Panteoni i rralluar"

...Nga mënyra se si gërmonte, dukej që ishte një punëtor me përvojë. S'e kishin caktuar më kot përgjegjës Gjenerali donte që punëtori të mihte më shpejt, që varret të hapeshin sa më parë dhe sa më parë të gjendeshin të gjithë të rënët. Atij nuk i durohej sa të fillonin nga gropsharët e tjerë. Atëherë, ai do të nxirrte listat dhe listat do të mbusheshin me kryqe të vogla dhe çdo kryqth do të ishte një ushtar i gjetur. Tingulli i goditjes së hekurit tani vinte i thellë, si nga fundi i dheut, dhe, befas, gjenerali ndjeu një ankth në gjithë qenien e tij. Po sikur ushtari të mos gjendet? mendoi...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrise se Vdekur"

...një zë të tillë, sikur të thoshte: mos ju është rritur mendja kaq shumë, sa të kujtoni se unë do të marr mundimin të bëj një ankesë kundër jush, ankimtarëve të përjeshtëm? Njeriu i "Lundra dhe trape" e vështroi ftohtë. - S'është fjala për një ankesë të drejtpërdrejtë, zoti kont, - tha ai. - Atëherë flisni qartë, - tha kryezoti. Përfaqësuesi i "Lundra dhe trape" vështronte ngultazi. Mjekra e tij, pasi ia kishte veshur pjesën e jashtme të nofullës, dukej sikur mbante gjithë drejtpeshimin e asaj koke. - Zotni, është fjala për një urë, - tha ai më në fund. - Ah,- ia bëri kryezoti ynë. Kjo...

Ismail Kadare, "Ura me Tri Harqe"

...popujve fqinjë me anë të luftërave. Tributet e përvitshme që detyroheshin të paguanin popujt e nënshtruar tregojnë se këto grabitje kryheshin në mënyrë sistematike. Kështu në shek. IV p.e. sonë, shoqëria ilire paraqitet si një shoqëri e ndarë në klasa e shtresa shoqërore. Kjo shoqëri njihte atëherë format e hershme të varësisë skllavopronare, prandaj edhe ishte një shoqëri skllavopronare. Lindja e qyteteve ndihmoi për thellimin e diferencimit shoqëror, sepse duke u bërë qendra të rëndësishme të zejtarisë dhe të tregtisë ato i dhanë hov rritjes së prodhimit, shkëmbimit me para dhe shfrytëzimit...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...lidhjes me të qysh para dy javësh. Do ta merrte për një vajzë të përndezur më shumë se ç'duhej prej Shkollës së Arteve, që s'dinte as vetë ç'donte dhe përse derdhte lot. Çdo herë shpresonte ta zbulonte ç'fshihej pas tyre, nëse vërtet fshihej diçka. Kishte bindjen se kjo ishte hera e fundit. Atëherë ç'ke? kishte thënë me zë të ngjirur. Së paku, ma thuaj ta di. S'mundem, s'e di as vetë, kishte qenë përgjigjja e saj. S'e di as vetë? Ashtu? Të duket vetja e ndërlikuar? Me ato pusulla alla Marlene Dietrich, të dua dhe s'të dua? Ashtu? E ndiente se nuk e kishte në dorë veten. Tani dëgjo: ti...

Ismail Kadare, "E Penguara"
Të ngjashme:
asohere:

asohére ndajf. atëherë.

njëherë:

njëhérë ndajf. 1. shumë kohë më parë në të shkuarën, dikur: na ishte njëherë…; njëherë e një kohë (njëherë motit) shumë kohë më parë, dikur; kështu rronin njëherë. 2. në një kohë jo shumë të largët e të pacaktuar në të ardhmen, ndonjëherë, dikur: do të vijë njëherë dita që… 3. së pari, më parë; tani për tani, hëpërhë: të shohim njëherë si është puna; e lëmë njëherë kështu.

vapëherë:

vapëhér/ë,-a f. mesdita ose koha pas saj kur bën shumë vapë.

njëherë:

njëhérë pj. 1. sidomos, veçanërisht: unë, njëherë, s’e mbaja dot gazin. 2. përdoret për të zbutur urdhrin ose si nxitje: pa eja njëherë këtu!; na trego njëherë se si ngjau! 3. përdoret për të treguar ndërmarrjen e një veprimi pas një ngurrimi: po e provoj edhe unë njëherë.