Fjalor i Gjuhës Shqipe

Fjalori i fundit(2006) i publikuar nga ASHSH(Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) - rreth 48.000 fjalë

Kuptimi i fjalës armik
armik:

armí/k,-ku m. sh. -q(të) 1. kundërshtari në luftë. 2. ai që urren dikë dhe përpiqet t’i bëjë keq, që është kundër tij dhe e lufton; ai që urren diçka me gjithë shpirt dhe e lufton atë; diçka e keqe, që sjell dëm, dëmtues; kund. mik: armik i duhanit; darova e armikut - o helm, o thikë (fj. u.).

armik:

armí-k, -ke mb. që lidhet me armikun, i armikut: ushtria armike.

Sinonime / Të përafërta:
dëmtues
Antonime:
mik
Në literaturë:

...nga mosha. Porsa ka marrë vesh që erdhëm ne, paska vënë medaljet, paska ngjeshur koburen dhe ka dalë përjashta. Tani këtë e bën përditë. - Madje, edhe punëtorët shqiptarë i vështron me përbuzie - tha prifti. - Pardje, specialisti e pyeti për diçka dhe ai nuk iu përgjigj. - Është plak fanatik. Siç duket, edhe ata i duken si aleatët tanë. - E di? - vazhdoi gjenerali, me zë të ulët. - Njeriu duhet të parashikojë çdo gjë. Unë u trembem torollakëve të tillë Ja, i shkrepet, nxjerr koburen e të qëllon mu në mes të ditës! - Çdo gjë mund të ndodhë, - tha prifti. - Nga një gjysmë i lënë si...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur"
Në literaturë:

...krahinën e Danubit. « Qëllimi i Filipit, - thotë Tit-Livi, - ishte që të zhdukte fisin e dardanëve dhe të vendoste në tokat e tyre bastarnët. Ai [Filipi V], mendonte se prej kësaj do të kishte një përfitim të dyfishtë, nga njëra anë, do të zhdukej fisi i dardanëve, i cili gjithmonë kishte qenë armik i rrezikshëm i Maqedonisë dhe shqetësonte mbretërit e saj në çaste të vështira, kurse, nga ana tjetër, do të dërgonte bastarnët në Itali që ta shkretonin atë pasi të linin në Dardani gratë dhe fëmijët e tyre ». Bastarnët invaduan viset dardane në vitin 179 p.e. sonë të ndihmuar edhe nga trakët...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

...zbritur atë ditë dhjetëra grupe të tilla. Pastaj, te ranishtja përziheshin bashkë, njerëz me borsalina dhe me syze, me malësorë të gjatë të flamurëve, që jetonin ende si në mesjetë dhe, midis këtyre të fundit, kishte, ndoshta, shumë nga ata që nuk e dinin se cili shtet po sulmonte dhe me cilin armik po vriteshin, sepse për ta kjo nuk kishte ndonjë rëndësi. Kryesorja ishte që e keqja kishte dalë nga deti dhe duhej kthyer prapë në det. Shumica e tyre nuk kishin parë ndonjëherë ujanë me sy dhe, me siguri, kur u dilte përpara Adriatiku, thërrisnin të mrekulluar: “Sa i bukur që është!", të befasuar...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrise se Vdekur"

...sistemin shoqëror, të tëhuajet prej shoqërisë dhe institucioneve politikoshoqërore duke ngarkuar mbi vet mosdurimin e tyre më të madh. Në veprën e tij të njohur Teoritë e tepricës së vlerës, Karl Marksi e ka konstatuar dukurinë në fjalë kur ka thënë se „Prodhimtaria kapitaliste, për shembëll, është armik i disa degëve të prodhimtarisë shpirtërore, sikundër janë arti dhe poezia". Në një formë posaçërisht të ashpër në shekullin e nëntëmbëdbjetë fillon konflikti, që vjen gjithnjë e më tepër duke u thelluar, ndërmjet krijuesve, në njërën dhe përfaqësuesve të atyre institucioneve politiko-shoqërore, në...

Rexhep Qosja, "Panteoni i rralluar"
Të ngjashme:
ermik:

ermík,-u m., edhe si mb., miell i bluar trashë: ermik misri; miell ermik.

armike:

armí-ke, -kja f. sh. -ke(t).

antik:

antík,-e mb. që i përket periudhës së Greqisë e të Romës së Vjetër: letërsia antike; autorët antikë; / shumë i vjetër, i lashtë: urë antike.

arabik:

arabík,-e mb. që lidhet me Arabinë, i Arabisë: gadishulli arabik.