Fjalor i Gjuhës Shqipe

Fjalori i fundit(2006) i publikuar nga ASHSH(Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) - rreth 48.000 fjalë

Kuptimi i fjalës armë
armë:

árm/ë,-a f. sh. -ë(t) 1. mjet për të luftuar, për të vrarë ose për të dëmtuar njerëz a kafshë: armë të rënda (të lehta); armë zjarri armë me fishekë a me predhë; armë e ftohtë (e bardhë) bajonetë, thikë etj.; armë atomike (bakteriologjike); me armë në dorë (fig.) i gatshëm për luftë; duke luftuar; me forcën e armëve (fig.) me dhunë ushtarake; marr (rrëmbej, rrok, ngjesh) armët (fig.) bëhem gati për luftë; i kthej armët (armikut) e pres me armë; arma e zbrazur tremb dy vetë (fj. u.). 2. usht. trupa të armatosura me të njëjtën lloj armësh; nënndarje e tyre sipas armatimit; sh. ushtri: arma e këmbësorisë (e artilerisë). 3. fig. mjet pune e lufte për t’ia arritur një qëllimi; argument.

Sinonime / Të përafërta:
ushtri
argument
Në literaturë:

...nga mosha. Porsa ka marrë vesh që erdhëm ne, paska vënë medaljet, paska ngjeshur koburen dhe ka dalë përjashta. Tani këtë e bën përditë. - Madje, edhe punëtorët shqiptarë i vështron me përbuzie - tha prifti. - Pardje, specialisti e pyeti për diçka dhe ai nuk iu përgjigj. - Është plak fanatik. Siç duket, edhe ata i duken si aleatët tanë. - E di? - vazhdoi gjenerali, me zë të ulët. - Njeriu duhet të parashikojë çdo gjë. Unë u trembem torollakëve të tillë Ja, i shkrepet, nxjerr koburen e të qëllon mu në mes të ditës! - Çdo gjë mund të ndodhë, - tha prifti. - Nga një gjysmë i lënë si...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur"
Në literaturë:

...cigaren, në faqe i krijoheshin dy gropa, që tregonin qartë trajtën e nofullave. - Ja, pra, këta qenkan shqiptarët! - tha gjenerali, sikur të vazhdonte një bisedë të lënë përgjysmë. - Njerëz fare të zakonshëm. As që e merr dot me mend se në luftë ikin nga mendja. - O, si bëhen ata kur gjejnë armë. - Dhe të mendosh që janë aq pak! - S’janë dhe aq pak, - tha prifti. Hyri prapë një njeri me ballë të pjerrët. - Ç'është kjo dreq pune që na kanë ngarkuar të bëjmë? - tha gjenerali. - Kudo, kur shikoj fytyra njerëzish, në rrugë apo në kafene, aty për aty, padashur, përfytyroj si do ta kenë kafkën...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrise se Vdekur"

...dëshmojnë gjithashtu se në shek. VIII-V p.e. sonë, diferencimi shoqëror në gjirin e shoqërisë ilire ishte bërë mjaft i theksuar dhe kishte prekur edhe krahinat e thella të Ilirisë Qendrore e Veriore. Në këto varreza ndeshen, krahas varreve me inventar të varfër, edhe varre ku të vdekurin e shoqëronin armë të kushtueshme, sende luksi prej ari e argjendi dhe objekte të tjera të importuara nga viset përreth, që i takonin shtresës së pasur të aristokracisë fisnore. Federatat fisnore Zhvillimi i pronës private, që çoi në thellimin e diferencimit social, u bë burim konfliktesh në shoqërinë ilire të shek...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"
Të ngjashme:
arme:

armé,-ja f. sh. -(të), edhe si mb., lakër turshi: lakër arme; lëng armeje.

ahmë:

áhm/ë,-a f. sh. -a(t) mallkim me shpirt.

arkë:

árk/ë,-a f. sh. -a(t) 1. kuti e madhe, zakonisht prej dërrase, për të ruajtur a për të mbartur sende e mallra: arka e nuses (e pajës) (etnogr.); arkë me fishekë. 2. fin. institucion ku njerëzit derdhin të holla për t’i ruajtur e për të fituar një përqindje; zyrë a vend i posaçëm ku bëhen pagesat dhe veprime të tjera me të holla; kasafortë: arka e kursimeve; derdh (mbyll) në arkë (para); / fondet në të holla që ka si gjendje një shtet, një sipërmarrje etj.: arka e shtetit. 3. bised. arkivol: të vënça në arkë! (mallk.) vdeksh!

arnë:

árn/ë,-a f. sh. -a(t) 1. copë e vogël cohe a lëkure, që qepet në një petk, në këpucë etj. për të zënë një vrimë ose një të grisur: pantallona me arna; / vrimë a gropë diku, e zënë ose e mbushur me diçka: kusi me arna; mur (rrugë) me arna. 2. fig.diçka që përdoret për të mbuluar një të keqe, një të metë, një dobësi etj.: jetë me arna.

aromë:

aróm/ë,-a f. sh. -a(t) erë e mirë, që lëshojnë lulet, bimët a lëndë të tjera: aromë trëndafili (manushaqeje).