Fjalor i Gjuhës Shqipe

Fjalori i fundit(2006) i publikuar nga ASHSH(Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) - rreth 48.000 fjalë

Kuptimi i fjalës arkë
arkë:

árk/ë,-a f. sh. -a(t) 1. kuti e madhe, zakonisht prej dërrase, për të ruajtur a për të mbartur sende e mallra: arka e nuses (e pajës) (etnogr.); arkë me fishekë. 2. fin. institucion ku njerëzit derdhin të holla për t’i ruajtur e për të fituar një përqindje; zyrë a vend i posaçëm ku bëhen pagesat dhe veprime të tjera me të holla; kasafortë: arka e kursimeve; derdh (mbyll) në arkë (para); / fondet në të holla që ka si gjendje një shtet, një sipërmarrje etj.: arka e shtetit. 3. bised. arkivol: të vënça në arkë! (mallk.) vdeksh!

Sinonime / Të përafërta:
kasafortë
arkivol
Në literaturë:

...nga mosha. Porsa ka marrë vesh që erdhëm ne, paska vënë medaljet, paska ngjeshur koburen dhe ka dalë përjashta. Tani këtë e bën përditë. - Madje, edhe punëtorët shqiptarë i vështron me përbuzie - tha prifti. - Pardje, specialisti e pyeti për diçka dhe ai nuk iu përgjigj. - Është plak fanatik. Siç duket, edhe ata i duken si aleatët tanë. - E di? - vazhdoi gjenerali, me zë të ulët. - Njeriu duhet të parashikojë çdo gjë. Unë u trembem torollakëve të tillë Ja, i shkrepet, nxjerr koburen e të qëllon mu në mes të ditës! - Çdo gjë mund të ndodhë, - tha prifti. - Nga një gjysmë i lënë si...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur"
Në literaturë:

...varrim madhështor, me kurora, muzikë dhe të shtëna pushkësh. Fashistët mundën të mblidhnin një turmë njerëzish nga rrugët dhe nga kafenetë dhe i detyruan të përcillnin në varreza të vrarën. Ne ecnim dhe s'flisnim dhe era na përcëllonte fytyrat. Atë e kishin vendosur në një makinë ushtarake, në një arkë të bukur, veshur me cohë të kuqe. Banda i binte një marshi të përzishëm dhe shoqet e saj qanin. Asnjëherë qyteti ynë nuk kishte përcjellë arkëmortin e një gruaje të huaj, sidomos të një gruaje të tillë. Ne ishim si të nemitur. Ndienim një zbrazëtirë në shpirt. Kushedi ç'fatkeqësi e kishte shtyrë...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrise se Vdekur"

...ditës tjetër dëgjova nëpër gjumë ca zëra të largët, që dukej sikur kërkonin ndihmë, duke thirrur: Ujku, ore, ujku... U ngrita fill dhe vura veshin; ca zëra të zvargur thërrisnin vërtet: Uk, o Uuuuk. Dola në treme dhe në agullinë e turbullt dallova në bregun matanë katër a pesë njerëz me një si arkë të zezë midis. Ishin ata që po i thërrisnin traparit. Vigma e tyre, e shtrirë petë mbi ujërat e fryra të lumit, mezi arrinte gjer këtu. Mëngjesi ishte i grysur, i ftohtë, dhe ata kushedi ç ‘hall kishin që ishin nisur për udhë që pa gdhirë. Uk, o Uuuuk, vazhdonin t'i bëzanin traparit, duke vënë...

Ismail Kadare, "Ura me Tri Harqe"

...ushtria e përbashkët mbronte vendin nga pushtuesit osmanë e veprimet armiqësore të vendeve të tjera, si dhe interesat e zotërimet e secilit anëtar të Besëlidhjes. Për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së ushtrisë, të armatimit të saj, etj., Kuvendi vendosi që pranë Skënderbeut të krijohej një arkë e përbashkët. Fondet monetare të saj do të formoheshin nga ndihmat në të holla që secili anëtar i Besëlidhjes do të jepte sipas një kuote të caktuar nga Kuvendi, nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit, që kishin Kastriotët pranë grykëderdhjes së lumit Mat, nga taksat doganore, si dhe nga tregtia...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"
Të ngjashme:
ajkë:

ájk/ë,-a f. 1. cipë e yndyrshme sipër qumështit; shtresë e hollë sipër gjellës a sipër diçkaje tjetër të lëngshme: kos me ajkë; kafe me ajkë; ajka e baltës. 2. fig. pjesa më e mirë a më e zgjedhur, balli, lulja: ajka e djemve. 3. lyra e leshit të palarë ose e flokëve.

armë:

árm/ë,-a f. sh. -ë(t) 1. mjet për të luftuar, për të vrarë ose për të dëmtuar njerëz a kafshë: armë të rënda (të lehta); armë zjarri armë me fishekë a me predhë; armë e ftohtë (e bardhë) bajonetë, thikë etj.; armë atomike (bakteriologjike); me armë në dorë (fig.) i gatshëm për luftë; duke luftuar; me forcën e armëve (fig.) me dhunë ushtarake; marr (rrëmbej, rrok, ngjesh) armët (fig.) bëhem gati për luftë; i kthej armët (armikut) e pres me armë; arma e zbrazur tremb dy vetë (fj. u.). 2. usht. trupa të armatosura me të njëjtën lloj armësh; nënndarje e tyre sipas armatimit; sh. ushtri: arma e këmbësorisë (e artilerisë). 3. fig. mjet pune e lufte për t’ia arritur një qëllimi; argument.

arnë:

árn/ë,-a f. sh. -a(t) 1. copë e vogël cohe a lëkure, që qepet në një petk, në këpucë etj. për të zënë një vrimë ose një të grisur: pantallona me arna; / vrimë a gropë diku, e zënë ose e mbushur me diçka: kusi me arna; mur (rrugë) me arna. 2. fig.diçka që përdoret për të mbuluar një të keqe, një të metë, një dobësi etj.: jetë me arna.

artë:

ártë (i, e) mb. 1. i bërë prej ari ose i larë në ar; i qëndisur me fije ari: unazë (varëse) e artë; jelek i artë. 2. që ka ngjyrën e shkëlqimin e arit: flokë të artë. 3. fig. shumë i vlefshëm, i çmueshëm, i shtrenjtë: fjalë të arta; ka duar të arta; ka zemër të artë.

arrë:

árr/ë,-a f. sh. -a(t) 1. bot. dru i lartë frutor, që bën kokrra me lëvozhgë të fortë, me shark të gjelbër e me thelb të ndarë në katër pjesë; kokrrat e këtij druri: arrë gungë arrë e fortë; arrë bukje arrë me thelb të madh; mobilie (rimeso) arre; vaj arre; llokum me arra. 2. gjymtyrë e parë e emërtimeve të pathjeshta të disa bimëve: arrë hindi (bot.) dru i egër, i ngjashëm me arrën, që bën bishtaja ngjyrëkafe. 3. kokërr pak a shumë sa një arrë: arra e fytit (anat.) fikthi i fytit; më ka dalë një arrë në qafë.