Fjalor i Gjuhës Shqipe

Fjalori i fundit(2006) i publikuar nga ASHSH(Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) - rreth 48.000 fjalë

Kuptimi i fjalës ankth
ankth:

ankth,-i m. sh. -e(t) ëndërr e keqe, që na zë frymën dhe na tremb shumë; / fig. ndjenjë e rëndë ndrydhëse; shqetësim shumë i madh: kam një ankth në zemër; jam në ankth.

Në literaturë:

...nga mosha. Porsa ka marrë vesh që erdhëm ne, paska vënë medaljet, paska ngjeshur koburen dhe ka dalë përjashta. Tani këtë e bën përditë. - Madje, edhe punëtorët shqiptarë i vështron me përbuzie - tha prifti. - Pardje, specialisti e pyeti për diçka dhe ai nuk iu përgjigj. - Është plak fanatik. Siç duket, edhe ata i duken si aleatët tanë. - E di? - vazhdoi gjenerali, me zë të ulët. - Njeriu duhet të parashikojë çdo gjë. Unë u trembem torollakëve të tillë Ja, i shkrepet, nxjerr koburen e të qëllon mu në mes të ditës! - Çdo gjë mund të ndodhë, - tha prifti. - Nga një gjysmë i lënë si...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur"
Në literaturë:

...mund të fitonte kohën e humbur, kaloi nëpër mend dy ngatërresat e mundshme, ku, dashje pa dashje, mund të kishte rënë: pjesën e tij të fundit teatrale, e cila prej dy javësh priste lejen e vënies në skenë, dhe marrëdhëniet me Migenën. Në një rast tjetër, kjo e fundit do t'i shkaktonte më shumë ankth se pjesa teatrale. Po i afrohej Bankës Kombëtare, kur skena e fundit e grindjes me të iu përtëri në kujtesë me një qartësi të padurueshme. Ishin në të njëjtin vend ku kishin pasur acarimin e mëparshëm, aty ku biblioteka bënte kënd me dritaren. Ishin thënë pothuajse të njëjtat fjalë, dhe lotët...

Ismail Kadare, "E Penguara"

...në politikën e Nemanjëve serbë dhe lidheshin me rolin dhe ndikimin e mbretëreshës franceze, Helenës. Qysh kur serbët e Stefan Nemanjës u shfaqën në viset e Kosovës e të Dioklesë (Gentës), fillojnë të duken dëshmitë e para historike mbi « persekutimet e Zhupanit të madh » (1173), si dhe për « ankthet e vuajtjet e katolikëve të robëruar » (1199). Politika e shtetit serb ndaj popullsive katolike të viseve shqiptare të pushtuara u kristalizua sidomos në kohën e sundimit të mbretërve Stefan Uroshi II (1282-1321), Stefan Uroshi III (1322- 1331) e Stefan Dushani (1331-1355). Koha e sundimit të këtyre...

Akademia Shqiptare e Shkencave, "Historia e Popullit Shqiptar"

... Atij nuk i durohej sa të fillonin nga gropsharët e tjerë. Atëherë, ai do të nxirrte listat dhe listat do të mbusheshin me kryqe të vogla dhe çdo kryqth do të ishte një ushtar i gjetur. Tingulli i goditjes së hekurit tani vinte i thellë, si nga fundi i dheut, dhe, befas, gjenerali ndjeu një ankth në gjithë qenien e tij. Po sikur ushtari të mos gjendet? mendoi. Po sikur hartat të mos jenë të sakta dhe të detyrohemi të gërmojmë në dy vende, në tre, në dhjetë, për të gjetur një skelet? - Po sikur të mos gjejmë gjë? - i tha priftit. - Do të gërmojmë prapë. Do të paguajmë dyfish. - S'është...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrise se Vdekur"

...avulluar në erë në formë kënge? Tingujt zvarriteshin si të përgjumur, gjithçka ngjante veshtullore dhe pa trajtë. Kjo është muzika e tyre, mendova, zëri i tyre i thellë Ajo shtyhej drejt nesh si një mjegull gjumëndjellëse. Nën tingujt e saj, këmbët që kërcenin vallen duhej të ngecnin si në një ankth. U ktheva helm e pikë nga ai udhëtim. Gjer në mesin e muajit s'ndodhi ndonjë gjë për t'u shënuar, me përjashtim të trupit të një të mbyturi, që u shfaq një mëngjes mbi ujëra. Ai u përplas te këmba e të muruarit, (syprina e ujit i kishte arritur tani ato), u rrotullua, goditi me bërryl edhe një...

Ismail Kadare, "Ura me Tri Harqe"
Të ngjashme:
anash:

ánash ndajf., edhe fig., nga krahët, në anë; anës: pashë anash; i kaloj anash (diçkaje) i shmangem, nuk i jap rëndësi a e trajtoj përciptas, i kaloj anash.

anketë:

ankét/ë,-a f. sh. -a(t) 1. pyetja e shumë njerëzve për të marrë mendimin rreth një çështjeje politike, shoqërore etj. 2. fletanketë.

ankthoj:

ankth/ój kal., -óva, -úar bëj që dikë ta zërë ankthi, i fut ankthin.

ashkth:

ashkth,-i m. mjek. sëmundje e fëmijëve, që u shfaqet me një kokërrz në qiellzë.

cikth:

cikth,-i m. 1. hirrë kosi a djathi, cik. 2. mjegull e hollë, që bie verës në vende të ulëta.