Fjalor i Gjuhës Shqipe

Fjalori i fundit(2006) i publikuar nga ASHSH(Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) - rreth 48.000 fjalë

Kuptimi i fjalës çaj
çaj:

çaj,-i m. 1. bot. shkurre me gjethe me erë të këndshme, që thahen për të përgatitur me to një pije; barishte a lule me të cilat përgatitim pije të ngrohtë: çaj mali bimë e vendit tonë, me gjethe në ngjyrë argjendi, me lule të verdha e me erë të këndshme; / pije që përgatitet nga këto bimë dhe nga bimë të tjera mjekësore: çaj rigoni (kamomili, sherbele). 2. pritje para darke, në të cilën të ftuarve u nxjerrin një pije të tillë të ngrohtë dhe ëmbëlsira: janë ftuar për çaj.

çaj:

ça/j kal., -va, -rë 1. e ndaj diçka në copa për së gjati; ndaj më dysh; i hap plasa të thella: çaj dru; çaj arra thyej arra. 2. e pres thellë me një send të mprehtë; i bëj plasa të thella: çau barkun (këmbën); t’i çan duart. 3. edhe fig. e copëtoj a e mbyt me dhëmbë: i çau ujku; me gojë të lan, me dhëmbë të çan (fj. u.). 4. edhe fig., hap një shteg kalimi; jokal. shkoj përpara, dal përtej; iki me shpejtësi: çau borën (pyllin, detin); çanë rrethimin; çau fushës (malit); ka çarë në jetë; çajnë përpara. 5. jokal. veta III më ther fort: më çajnë këmbët.

Në literaturë:

...nga mosha. Porsa ka marrë vesh që erdhëm ne, paska vënë medaljet, paska ngjeshur koburen dhe ka dalë përjashta. Tani këtë e bën përditë. - Madje, edhe punëtorët shqiptarë i vështron me përbuzie - tha prifti. - Pardje, specialisti e pyeti për diçka dhe ai nuk iu përgjigj. - Është plak fanatik. Siç duket, edhe ata i duken si aleatët tanë. - E di? - vazhdoi gjenerali, me zë të ulët. - Njeriu duhet të parashikojë çdo gjë. Unë u trembem torollakëve të tillë Ja, i shkrepet, nxjerr koburen e të qëllon mu në mes të ditës! - Çdo gjë mund të ndodhë, - tha prifti. - Nga një gjysmë i lënë si...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur"
Në literaturë:

...vjen ndoresh të më ndihmosh në punë. Një djalë, që më ndihmonte gjer tani, doli partizan. Vetëm mos bësh ndonjë lapërdhi, - vazhdoi ai. - Të piu e zeza po mora vesh gjë, të vara te kulmi i pullazit. Kjo ishte marrëveshja jonë. Qysh atëherë ka kaluar një muaj. Unë tani kryej gjithfarë punësh: çaj dru në pyll, pastroj vijën e mullirit, çukis mokrat, ndreq grunarët, mbush e zbraz thasët. Shokët e batalionit dhe familja më dinë, me siguri, të vrarë. Sikur të më shihnin kështu siç jam, mua, ish-ushtarin "e hekurt", të ngjyer e të zbardhur krejt nga mielli, me kete qeleshe në kokë...

Ismail Kadare, "Gjenerali i Ushtrise se Vdekur"
Të ngjashme:
faj:

faj kal., -ta, -tur bised. ngop.

faj:

faj,-i m. sh. -e(t) 1. shkelje e rëndë e rregullave ose e normave të shoqërisë, të një organizate etj.; gabim i rëndë; drejt. veprim ose mosveprim i dikujt kur i ka dëshiruar dhe i ka parashikuar pasojat e rrezikshme të veprës së tij, ose kur i ka shkaktuar këto pasoja me vetëdije: bëri faj; ka (s’ka faj); ia hodhi fajin një tjetri; e lau (e shleu) fajin; faji është jetim (fj. u.). 2. bised. shkak.

haj:

haj lidh. bised. ose…ose, qoftë…qoftë: haj ai, haj ajo.

laj:

la/j kal., -va, -rë 1. pastroj me ujë, me sapun etj.; e fut diçka në ujë a në një lëng tjetër dhe e fërkoj për t’i hequr papastërtitë: laj trupin (duart, dhëmbët); laj enët (pjatat); macja lan kotelet i lëpin me gjuhë; i lau faqet me lot (fig.) i rridhnin lotët çurk; laj filmin përpunoj me lëndë kimike një film fotografie; sa pa larë sytë (fig.) shumë herët, që pa gdhirë; e lau me të puthura (fig.) e puthi shumë. 2. i heq ndryshkun diçkaje duke e fërkuar; kallajis: e lau shpatën; e lau tepsinë; / bised. i heq gjërat e huaja e të panevojshme, pastroj, qëroj; e sheshoj a e lëmoj diçka; i heq degët një druri: laj pusin (kanalin); i lau shiu arat; e lau dërrasën me zdrukth. 3. e vesh diçka me lëngun e një metali të çmuar; praroj: e lau me ar (me argjend). 4. edhe fig., i kthej borxhin dikujt; shlyej; shpaguaj: i lau gabimet (mëkatet); e lau me gjak (me djersë) e pagoi me jetën e vet a me mundime të mëdha. 5. fig. shfajësoj: laj veten shfajësohem; me gojë të lan, me dhëmbë të çan (fj. u.) shtihet i mirë, por të bën të keqen. 6. v. III (me trajtë të shkurtër përemërore) bised. më heq shumë barku. 7. v. III (me trajtë të shkurtër përemërore), edhe fig., bised. më rrëmben, më përlan: të lan era (veriu); e laftë mortja! (mallk.) vdektë. 8. fig. hedh vështrimin: deri ku lan syri i njeriut; / v. III përhap dritën gjithandej, i jep shkëlqim: dielli lau malet.